Mbi IDM |
Dy fjalë të përgjithshme
Instituti për Diversitetin e Medias (IDM) është një organizatë jofitimprurëse dhe e paanshme, e cila mobilizon pushtetin e medias për të pakësuar konfliktin mes grupeve, lufton për të drejtat e pakicave dhe të drejtat e njeriut, dhe mbështet një kuptim më të thellë të publikut për të gjitha llojet e diversitetit social. Organizata e ka qendrën në Londër dhe ka zyra në Armeni, Azerbaixhan dhe Gjeorgji.
IDM përqendrohet në rajone ku mediat informative kanë luajtur një rol destruktiv në acarimin e konflikteve etnike dhe fetare dhe në shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave. IDM punon me organizatat e mediave, gazetarët, mësuesit e gazetarisë, OJQ-të dhe qeveritë për të parandaluar konfliktin si dhe për pajtimin, për të nxitur tolerancën ndaj grupeve më të prekura, si dhe për të nxitur gazetarinë e paanshme dhe të ekuilibruar.
IDM ngre lart standartet më të larta të gazetarisë profesionale pasi ato lidhen me pasqyrimin e diversitetit. Organizata zhvillon dhe përdor mjete, metoda trajnimi dhe nisma të raportimit praktik për të arritur këtë qëllim. |
Diversiteti dhe media
Njerëzit e përjetojnë diversitetin në shumë mënyra: si racë, etni, gjini, mundësi fizike, orientim seksual, besim fetar, të ardhura, arsimimi, etj. Diversiteti mund të jetë frymëzim për krijimtari, për përparim social dhe ekonomik, për komunitete energjike dhe për një jetë më të pasur. Megjithatë, shumë shpesh diversiteti shkakton dyshim, frikë, diskriminim, shtypje dhe konflikt të dhunshëm.
Gazetarët dhe organizatat e medias kanë një pushtet të veçantë për t'i dhënë formë përjetimit tonë të diversitetit. Ata mund të forcojnë ose dobësojnë stereotipet duke dhënë përfaqësime multidimensionale ose të thjeshtëzuara të komuniteteve të ndryshme etnike, racore dhe fetare. Ata mund të nxisin tensione dhe konflikte sociale – ose të përvijojnë zona të tipareve të përbashkëta. Nëpërmjet veprimeve të tyre, ata mund të ndihmojnë secilin grup shoqëror të fitojnë një prani më të madhe dhe të thonë fjalën e tyre.
Por shumë shpesh, mediat e përkeqësojnë keqkuptimin dhe ndarjen mes grupeve të ndryshme. Dekada e kaluar ishte plot me shembuj të përdorimit të medias për të ndarë komunitetet, për të nxitur urrejtjen kundër grupeve të pakicave dhe për të nxitur dhunën masive. Nga Serbia deri në Ruandë dhe më tej akoma, kontrolli ndaj medias u bë një nga armët më të fuqishme në arsenalin e lëvizjeve politike më ekstreme.
|
Qëllimet dhe metodat e IDM
Qëllimi përfundimtar i IDM është të ndryshojë qëndrimet negative që ekzistojnë kundër grupeve të pakicave dhe atyre më të dobëta, të të gjitha llojeve – një detyrë e vështirë por e rëndësishme, sidomos për shoqëritë ku institucionet demokratike janë të brishta ose ende nuk janë krijuar.
Objektivi ynë parësor është të mbështesim pasqyrimin mediatik të drejtë, të saktë, të gjerë për çështjet e lidhura me diversitetin, si një hap i domosdoshëm drejt fuqizimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave dhe të nxitjes së mirëkuptimit midis grupeve të ndryshme sociale. Një pasqyrim i tillë mediatik mund të luajë një rol kryesor në pakësimin e paragjykimeve të paarsyeshme, në shmangjen e ndezjes së konfliktit, dhe në përballjen me axhendat politike ekstremiste. Një pasqyrim mediatik i këtij lloji mund të përbëjë një mur kritik kundër përshkallimit të konflikteve etnike, nacionaliste apo fetare.
IDM punon kryesisht në shoqëri ku ka mbizotëruar për dekada të tëra një parti e vetme ose një grup etnik ose fetar. Në vende të tilla si Izraeli, Nigeria, Rumania ose Serbia, të ekzistoje jashtë grupit dominues ishtë pothuajse një arsye automatike për t'u konsideruar i dyshuar ose si një kërcënim. Po ashtu, nëpër shumicën e Europës sot romët ende shihen si njerëz të dorës së dytë, të padenjë për statusin e barabartë me grupet kryesore. Në Rumani, deri vonë ligji për homoseksualitetin ishte aq i paqartë sa e bënte diskutimin publik të kësaj teme një mundësi që mund të dënohej me burg. Atje ku ka një farë lirie të shtypit, mediat kanjë një mundësi të jashtëzakonshme për të ndihmuar ndryshimin e qëndrimeve në këto shoqëri.
Duke u mbështetur në studime të zgjeruara dhe përvojën e mediave profesionale, IDM punon me organizata lokale partnere për të zhvilluar mjetet, trajnimin dhe programet e raportimit në terren më të përshtatshme me qëllim që të përmirësojë raportimin rreth diversitetit të medias në çdo fushë. Projekte të raportimit ndër-etnik, trajnim mediatik për OKQ-të e grupeve të pakicave, kurrikulumi i raportimit të diversitetit për shkollat e gazetarisë – këto dhe nisma të tjera pasqyrojnë qasjen praktike të IDM për krijimin e ndryshimit të menjëhershëm si dhe të atij afatgjatë.
|
| Arritjet e përzgjedhura të IDM |
| |
Në Rumani, Qendra për Gazetarinë e Pavarur ka vënë në përdorim trajnimin dhe mbështetjen e IDM për t'u bërë partner kryesor në të gjitha debatet e udhëhequra nga qeveria mbi temën e të drejtave të pakicave. |
| |
Në Bosnjë, Qendra e Medias në Sarajevë po punon me idetë dhe materialet e IDM për të zhvilluar një seri që do të nxisë mirëkuptimin dhe pranimin e “të tjerëve.” |
| |
Në Serbi, Agjencia e Lajmeve Beta ka prodhuar dhe shpërndarë më shumë se 70 artikuj të bazuar mbi raportimin e diversitetit, nga 15 korrespondentë të vendosur në të gjithë Europën Juglindore dhe bindi Ministrinë për Pakicat Etnike dhe Kombëtare të mbështesë një faqe të posaçme interneti që u kushtohej çështjeve të pakicave. |
| |
Në Hungari, një seminar i IDM “Raportimi i Diversitetit” për zhvillimin e kurrikulumit, i organizuar në bashkëpunim me Universitetin e Europës Qendrore, ka sjellë krijimin e kurseve të Raportimit të Diversitetit në fakultetet dhe shkollat e gazetarisë në institucionet e mëposhtme: Universiteti i Zagrebit, Kroaci; Universiteti i Tiranës, Shqipëri; Universiteti i Sarajevës, Bosnjë; Universiteti i Sofies, Bullgari; Universiteti i Bukureshtit, Rumani dhe Shkolla e Gazetarisë së Novi Sad, Serbi. |
| | Në të gjithë Europën Juglindore, Rrjeti i Europës Juglindore për Profesionalizimin e Medias ka punuar me IDM për të krijuar programin e “Trajnimit të Trajnerëve” në raportimin e diversitetit. |
| | Në Afrikën Jugore, drejtori i Institutit Shqiptar të Medias po zhvillon kurse të Raportimit të Diversitetit duke u nisur nga materialet e kurrikulës dhe trainimit të IDM. |
| |
Në Kanada, një kurs i posaçëm pasuniversitar për Raportimin e Diversitetit që u zhvillua në Universitetin e Torontos rezultoi në një seri esesh mbi pasqyrimin e temës së diversitetit në Europën Qendrore dhe Lindore, kryesisht i përqendruar në çështjet e pakicave etnike. |
|
Themeluesit e IDM
IDM ka marrë fonde nga Komisioni Europian, Ministria Hollandeze e Punëve të Jashtme, Instituti për Shoqëri të Hapur, Trusti Sigrid Rausing, Këshilli i Europës, Freedom Forum, IREX, Fondacioni Westminster për Demokraci dhe Fondacioni Kulturor Europian.
|
|